Pas konfliktit, Bleona vendos të mos japë intervistë për “Pasditen” në Tv Klan
Ishte parashikuar për të qenë një takim i thjeshtë pune dhe bashkëpunimi ai mes këngëtares shqiptare që jeton në Amerikë, Bleona Qeretit, dhe prezantueses së njohur dhe mjaft të dashur për publikun, Rudina Magjistarit. Një takim, i cili është lënë për t’u zhvilluar në “Hotel Sheraton” mes të dyjave, më pas ka degraduar në një konflikt aspak të këndshëm. Përplasja me fjalë ka nisur në momentin që do të zhvillohej intervista, e cila ishte parashikuar për në orën 17:00 të pasdites. Rudina e ka takuar Bleonën në orën 6 pa çerek, në një kohë që këngëtarja Qereti ka qenë duke folur me balerinët. Në orën 6, Rudina i ka kërkuar Bleonës t’i lërë balerinët dhe të nisnin intervistën për “Takimin e Pasdites”. Në këtë kohë Bleona i ka thënë Rudinës të presë edhe 5 minuta, ndërsa kjo e fundit i ka përsëritur që të mbaronin fillimisht intervistën për emisionin. Në këtë kohë Bleona i është përgjigjur: “Më mirë e lëmë fare…”.
Më pas të dyja kanë përdorur fjalë dhe një ton jo shumë miqësor ndaj njëra-tjetrës dhe intervista me Bleonën nuk u bë ashtu siç ishte parashikuar. Lidhur me këtë incident, kontakti me Bleonën ka qenë i pamundur, pasi ajo ka udhëtuar menjëherë drejt Prishtinës, edhe pse nga burime të afërta me të kemi mësuar se nuk ka dashur të bëjë asnjë koment. Ndërsa Rudina Magjistari është përgjigjur shkurt, pa dashur t’i japë rëndësi këtij lajmi: “Kam shumë punë dhe s’kam kohë të merrem me thashetheme”. Në fakt, gjithë zënka për shkak të vonesave të shkaktuara si nga Bleona, ashtu edhe nga Rudina, është tërësisht banale nëse do të kemi parasysh reputacionin e “Pasdites” dhe atë të moderatores së njohur Magjistari. Ndërsa për Bleonën mund të themi se ajo po vazhdon turin e koncerteve të saj në trojet shqiptare dhe nuk e dimë ende se kur do të lançojë videon e saj në anglisht, siç dhe është shprehur kohë më parë.
Bleona: Një psikopat hodhi videon, nuk di asnjë fjalë serbisht
Ndërkohë duket se telashet nuk kanë të sosur për Bleonën. Vetëm dy ditë më parë, kohë kur edhe këngëtarja udhëtoi drejt Kosovës për të vazhduar atje turin e saj muzikor, në Youtube ka qarkulluar një video me komentin se këngëtarja po këndonte serbisht. Kjo gjë ka bërë që fansat e saj të irritohen, por Bleona nuk ka vonuar të japë përgjigjen e saj, duke deklaruar se këto veprime mund t’i bëjë vetëm një psikopat.
“Duke qenë se e ndjej si detyrim moral, më duhet të sqaroj edhe një herë për të gjithë fansat anembanë Shqipërisë, në veçanti të Kosovës, që videoja e hedhur në Youtube nga një psikopat, ku thuhet se unë këndoj serbisht, është vetëm një përpjekje e tij për të më bërë keq mua. Unë nuk di asnjë fjalë serbisht. Ajo këngë është kënduar nga Oliver Dragojeviç, i cili është kroat dhe mik i shqiptarëve. Dragojeviç nuk ka pranuar kurrë të këndojë në Beograd, pavarësisht shumave të mëdha që i kanë ofruar. Dua që ky keqkuptim të sqarohet një herë e përgjithmonë, pasi vërtet zhurma e kotë që po bëhet për të po më shqetëson”, këto janë fjalët me të cilat këngëtarja u është drejtuar gjithë fansave të saj pas incidentit, ku në një kanal amerikan Bleona nuk pranoi të përshëndeste shqip.