BLEONA QERRETI: E MBAROVA ALBUMIN, TASH KONCERTET

Bleona Qereti është drejt kurorëzimit të ëndrrës së saj, që mban emrin Hollywood. Albumi ka përfunduar tashmë; në agjendë është xhirimi i videos dhe turi mbarëbotëror, që do të nisë me Shqipërinë, Kosovën e Malin e Zi.
Jeta private që duket se me gjithë thashethemet që qarkullojnë vazhdon të shkojë vaj, filmi me Steven Seagal dhe dita e Bleonës nga mëngjesi në darkë…Në një rrëfim të veçantë për faqet e verës në Gazetën Shqiptare të këngëtares shqiptare Bleona Qereti.
Bleona, cilat janë angazhimet e tua këto kohë?
Jam në përfundim të albumit dhe në prag të xhirimit të videos së parë në album.
Kanë ardhur lajme që ke punuar me producentin Timbaland, e madje se ke përgatitur një këngë me motive popullore; është shkruar se ke regjistruar në studion e Michael Jackson; ke punuar me një nga kompozitorët e Rihannës, Tiao Cruz Makeba, etj. Çfarë ka ndodhur me këngët që ke realizuar në këto studio?
Këngët kanë përfunduar pothuajse të gjitha. Timbaland ka bërë 3 këngë, Rodney Jerkins (Darkchild) ka bërë 3 këngë dhe këngët e tjera janë realizuar nga Skydancers në Francë dhe Stopwaitgo në Islandë. Siç thashë më parë, jam në prag të xhirimit të videos së parë. Drejtori i videos do të jetë Ray Kay (Ray ka bërë të gjitha videot, duke nisur nga Brintey deri te Gaga).
E ke thënë gjithnjë se qëllimi yt është tregu ndërkombëtar i muzikës. U bënë vite tashmë…Çfarë ke arritur në këtë qëllim deri tani dhe çfarë ka mbetur ende?
Po, është e vërtetë. Sigurisht që janë bërë vite, sepse gjërat nuk janë të lehta. Po të ishin, çdo njeri do kishte ardhur këtu dhe do kishte bërë namin. Para disa ditësh pashë në kinema filmin e Katy Perry dhe aty kuptova që unë kam qenë me shumë fat që e gjithë kjo punë më në fund është në prag të përfundimit, mbasi Katyt i janë dashur pothuajse 7 vjet për të nxjerrë albumin. Është jashtëzakonisht e vështirë dhe asnjë njeri nuk të garanton sukses. Atë ta garanton vetëm publiku.
Nga statuset e tua në Twitter dhe Facebook ka dalë lajmi se do të luash edhe në një film. A mund të më thuash më shumë rreth këtij projekti?
Është thjesht një rol i vogël në episodin “True Justice”, ku stari kryesor është Steven Seagal. Duke qenë se ne kemi pasur miqësi që 3-4 vjet, tashmë më ftoi në audicion dhe unë fitova. Dhe karakteri im ishte nga Andaluzia dhe e ndërruan; e bënë shqiptare dhe unë kam folur shqip në film. Filmi del në nëntor këtu në Amerikë, në kanalin televiziv “Reelz”.
Bleona, sa vite ke pa ardhur në Shqipëri?
Që në nëntor të 2010-ës, d.m.th një vit e gjysmë tani.
A ke ndonjë projekt që e ruan për ta realizuar në Shqipëri?
Turrin më të bukur, për të cilin kam kohë që përgatitem! Më ka marrë malli shumë, shumë, shumë, shumë të jem në skenë afër me fansat e mi. Unë në Facebook dhe Twitter jam shumë afër me ta dhe u kthej përgjigje zakonisht të gjithëve, por është tjetër ndjenjë kur i ke pranë dhe të jesh në skenë.
Ka dalë në modë këtej që këngëtare të reja bëhen pjesë e formatit të politikës. E ke shprehur edhe ti që Berisha është politikani yt i preferuar. A të tundon ndonjëherë ideja e një përfshirjeje politike edhe ty?
Jeta ime është muzika dhe jo politika. Unë asnjëherë nuk kam bërë atë “që ka qenë në modë”. Gjithmonë kam bërë atë që më ka thënë koka. Por. Dr.Sali Berisha është njeriu im më i preferuar! Kjo ka lidhje me koncertet e “Vizion Plus”-it që kemi bërë në 1996-ës kur unë kam qenë akoma fëmijë. Jozefina Topalli, Lulzim Basha dhe Majlinda Bregu janë të tjerë politikanë për të cilët ndihem krenare që i kam miq dhe që kam pasur nderin t’i njoh nga afër. Janë njerëz të cilët, pa marrë parasysh sa larg jam, do të jenë gjithmonë në zemrën time dhe unë u uroj çdo të mirë në jetë!
Jeta jote personale? A je ende e martuar me Gani Bardhën dhe nga dolën thashethemet e disa kohëve më parë që ishit divorcuar?

Gani është njeriu më special në jetën time dhe kjo nuk ka vend për diskutim! Unë gjithmonë do të jem marrëzisht e dashuruar mbas syve të tij. Gani është bërë personazh këtu, sepse duket si yll Hollywood-i me fizikun që ka. Kur jemi nëpër darka, ka njerëz që vijnë më takojnë mua në tavolinë dhe pastaj kthehen nga Gani dhe e pyesin: “Hë, si i ke punët me karrierën? Kur del filmi?”. Dhe Gani, që nuk ka lidhje fare me këto, ia plas të qeshurit dhe u thotë: “Unë nuk kam menaxher ose agjent apo trajner…Unë jam Gani.” (qesh) Jetës nuk i dihet, po sikur unë të martohem dhe 100 herë të tjera, vendin e Ganit nuk do ta zërë askush. Mendoj se ai do vijë në Shqipëri me mua në turrin që kam në plan të bëj në fund të verës.