Megjithëse është një këngëtare, e cila vazhdon të këmbëngulë në ëndrrën amerikane, asaj i mungon çdo gjë nga Tirana dhe Prishtina. Është kjo Bleona Qereti, e cila edhe pse ka provuar tapetin e kuq me yje holivudianë, ajo nuk harron dhe mezi pret të kthehet në Kosovë, që ta shijojë ushqimin tradicional, flinë, por këtë do ta bëjë pas albumit, i cili siç tregon këngëtarja në këtë intervistë për gazetën tonë, është duke u realizuar me producentin e madh Timbaland. Ndërsa nga personat VIP, që ka takuar i pëlqen aktori Al Paçino, por nuk harron se për të personaliteti botëror më i madh shqiptar është Nëna Tereze.
"Kosova Sot": Bleona, këto lajme të llojllojshme të sajuara për ju, po ju pengojnë, apo po ju reklamojnë më tepër?
Bleona Qereti: Sigurisht, edhe unë jam njeri dhe lëndohem nga lajmet e pavërteta. Por, unë jam me shumë fat mbasi i gjithë publiku tashmë e ka kuptuar që kjo është vetëm lojë fjalësh, dhe ata më mbështesin në çdo mënyrë, dhe gjërat automatikisht kthehen më shumë në reklamë se sa pengesë. Kjo është dhe arsyeja që fansat nga Kosova dhe Shqipëria dhe të gjithë viset e tjera shqiptare gjithmonë do të kenë një vend special në zemrën time, pa marrë parasysh sa i madh do të jetë emri im në botë në të ardhmen.
Nuk ndjek asnjë artist shqiptar
"Kosova Sot": Kemi dëgjuar që do të sillni në Tiranë dhe Prishtinë producentin e madh Timbeland, kur do të ndodhë kjo, së shpejti?
Bleona Qereti: Jo, nuk është e vërtetë që do vijmë për koncert, të paktën jo në të ardhmen e shkurtër,Timbaland po bën albumin tim në anglisht, por sigurisht nëse do të kem oferta për ta sjellë në Tiranë apo Prishtinë do të ishte vërtet një gjë e mrekullueshme dhe sigurisht që Timbaland nuk do ta refuzojë ofertën.
"Kosova Sot": Ju mungon publiku shqiptar dhe kur do të jeni në Tiranë, apo në Prishtinë me një koncert tuajin?
Bleona Qereti: Sigurisht që më mungojnë shumë fansat dhe kjo është edhe arsyeja që jam çdo ditë në facebook dhe twitter, por mua më mungon çdo gjë nga Shqipëria dhe Kosova, në momentin që do ta përfundoj albumin do të kthehem në Prishtinë dhe fillimisht do të ha flia, mantia e pogaçe me lëng specash, pastaj të gjërat e tjera më vonë, ha... ha... ha... ha...(qesh).
"Kosova Sot": Keni kohë të ndiqni rrjedhën e muzikës shqiptare këto vite që jeni andej, apo ju pëlqen ndonjë talent i ri në muzikë?
Bleona Qereti: Nuk kam pasur asnjë mundësi të ndjek asnjë artist shqiptar, qoftë artistë të rinj apo kolegët e mi.
"Kosova Sot": Pas projektit tuaj muzikor që pritet të dalë, a është e vërtetë se projekti i radhës është të sillni në jetë një fëmijë, të bëheni nënë?
Bleona Qereti: Sigurish, mezi po e pres atë ditë. Shpresoj që vitin tjetër do të bëhet realitet mbas kaq vitesh martesë. Mirëpo Ganiu më kupton, mbasi ai më ka njohur si këngëtare dhe u martua me një këngëtare, kështu që konsekuencat diheshin që në fillim!
"Kosova Sot": Cila apo cili është vipi internacional më i veçantë që keni takuar dhe pse?
Bleona Qereti: Al Paçino! Është aktori më i famshëm në botë dhe një nga njerëzit më të thjeshtë që kam takuar ndonjëherë në jetën time.
Nuk flet për Eliza Dushkun
"Kosova Sot": A është e vërtetë që keni pasur një konflikt në emër të patriotizmit me Eliza Dushkun dhe cila është e vërteta?
Bleona Qereti: Nuk ia vlen të flas për njerëz që nuk dinë asnjë fjalë shqip dhe luajnë patriotin për qëllime reklame apo financiare !...
"Kosova Sot": Për Bleonën, cili është shqiptari më i famshëm botëror?
Bleona Qereti: Nëna Tereze.
"Kosova Sot": Tani që Bleona është më e pjekur në moshë, ju merr malli të thuash "Adoleshenca, stina më e bukur e jetës"?
Bleona Qereti: Ha... ha... ah...(qesh). Ndoshta, por sigurisht çdo fazë e jetës ka të mirat dhe të këqijat e veta!
"Kosova Sot": Për fund,
na tregoni se a do të jetoni deri në fund në tokën amerikane?
Bleona Qereti: Absolutisht jo, në momentin që do ta mbaroj albumin, atëherë do të kem më shumë kohë të shpenzoj nëpër avionë midis Shqipërisë dhe Amerikës! Unë jam shqiptare dhe jam shumë krenare për gjakun që rrjedh në venat e mia dhe ajo që po bëj është pozicionimi i artistëve shqiptare në radarin e muzikës botërore dhe vendosja e Shqipërisë e Kosovës në hartë një tjetër dimension!" Ju përqafoj me mall e dashuri, Bleona Qereti!...